Ndërsa po afrohet fushata, duket se qeveria ka vendosur të luajë me kartën e rritjes së pagave.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri premtoi rritje page në nivelin 17 përqind për policinë.
“Gjatë vitit 2014 u rritën me 25% pagat e punonjësve të nivelit bazë të Policisë së Shtetit, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt trajtimit më të mirë financiar.
Paga mesatare e nivelit bazë ishte 45.600 lekë dhe u bë 57.100 lekë.
Ligji i ri i Policisë së Shtetit parashikuam dhe rritje të pagës për efekt të vjetërsisë në punë, me efekt që nga marsi i këtij viti. Kjo sjell një rritje mesatare të pagave me rreth 5%.
Që në vitin e parë miratuam ligjim “Për sigurimin shëndetësor të veçantë të punonjësve të strukturave Speciale Operacionale të Policisë së Shtetit”, sepse punonjësit e forcave speciale shkonin në operacione pa sigurim për shëndetin.
Përveç pagave të ulta, deri në 2013, për mbi 2 vjet punonjësve të Policisë së Shtetit, kryesisht punonjësve të forcave speciale, nuk u paguheshin orët jashtë orarit, dietat, shpërblimet për largësinë nga vendbanimi.
U shlyen të gjitha detyrimet e prapambetura për punonjësit e Policisë së Shtetit ndër vite – 325.9 milion lekë (2.2 milion euro) që qeveria e kaluar ua kishte borxh punonjësve të policisë dhe tani orët jashtë orarit, dietat dhe shpërblimet jepen menjëherë.
Sot është dita për një lajm të mirë!
Po, pagat e mbi 11 mijë punonjësve të policisë në të gjithë Shqipërinë, do të rriten nga Janari 2017.
Faleminderit zoti Kryeministër!
Do rrisim pagat e policëve të nivelit bazë me rreth 17% ose në vlerë absolute me një rritje 10.070 lekë.
Për t’ju marr një shembull, paga e inspektorit në vitin 2017 bëhet 69 mijë lekë, pra krahasuar me vitin 2013, rritet 45%,” tha Tahiri.