Policia e Shtetit dhe drejtues të Guardia di Finanza japin të dhëna rreth operacioneve në luftën kundër drogës. Mbi 2.4 milionë bimë kanabis të asgjësuara, 42 fluturime ajrore, por vetëm 17 për qind e territorit e monitoruar. Risia tjetër e këtij viti është futja e farës vietnameze të hashashit, e shkurtër dhe me cikël të shpejtë pjekjeje. Misteri i madh, sa drogë ka shpëtuar pa u evidentuar?
Drogë më shumë, asgjësime më shumë, të dyja palët duken të kënaqura me falënderime të ndërsjella, por ende nuk dihet sa bimë narkotike ka mundur të shpëtojë nga drapri policor.
Raporti i Guardia di Finanza mbi drogën e kultivuar në Shqipëri, fotografimet ajrore dhe asgjësimin e bimëve narkotike janë bërë publik dje në një konferencë të përbashkët shtypi mes zyrtarëve italianë dhe shqiptarë.
Të dhënat tregojnë se është katërfishuar numri i bimëve të mbjella me kanabis krahasuar me një vit më parë, gjithashtu edhe asgjësimi i tyre është rritur.
Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako, së bashku me zyrtarët e Guardia di Financa pohuan se në total për vitin 2016 janë asgjësuar 2 milionë e 409 mijë bimë narkotike, çka përbën 99.8 për qind të sasisë së kultivuar.
“Monitorimi ajror me Guardia di Financa ka identifikuar 2086 parcela krahasuar me 1386 parcela vitin e kaluar” -tha Çako.
Ndërsa nga pala italiane janë kryer 42 fluturime ajrore për të evidentuar drogën dhe nga parcelat e zbuluara prej tyre janë asgjësuar 99.8 për qind të tyre.
Numri një i policisë shqiptare ka vënë theksin edhe në ndryshimin e mënyrës së kultivimit, si në zona ashtu edhe në varietet të kanabisit.
“Ka trend kultivimi në zonat e mbyllura dhe me afat më të shkurtër rritje. Identifikimi i një bime të quajtur vietnameze që është gjetur në 70 për qind të parcelave. Është monitoruar një sipërfaqe më e madhe e kanabisit në krahasim me të shkuarën. Bima e konstatuar, ka një cikël nga 18 deri në 45 ditë, por ndërhyrjet e policisë kanë qenë të menjëhershme, kështu që edhe kostot e misionit të fluturimeve kanë qenë të larta”-tha Çako.
Kreu i policisë së shtetit theksoi se strukturat e policisë janë trajnuar vazhdimisht dhe në çdo aksion dhe parcelë të evidentuar është lajmëruar edhe prokuroria për hetime të mëtejshme.
“Trajnimi është bërë me iniciativën e mbështetjen e Universitetit të Napolit dhe Guardia di Finanzia. Do ndërmerreshin disa iniciativa për një bashkëpunim me Universitetit të Napolit dhe atij Politeknik në Tiranë. Duke shfrytëzuar komponentët shkencorë është dhënë imazh shumë i mirë i punës lidhur me punën e Policisë” -pohoi Çako.
Ndërsa koloneli i Guardia di Finanzia në Shqipëri Joselino Minutto u shpreh se: “I kemi detyruar organizatat kriminale të ndryshojnë edhe mënyrë se si procedojnë. Është shfrytëzuar fara vietnameze, e cila ka avantazh se rrit shpejtësinë e kultivimit, por disavantazhin se ka një rendiment të ulët në krahasim me farat tradicionale. Organizatat kriminale kanë kërkesa nga tregu dhe i është dashur të rrisin sipërfaqen e kultivuar në mënyrë që të kenë të njëjtin prodhim” -tha ai.
Për oficerin e Guardia di Finanza, shtimi i parcelave me kanabis nuk duhet parë si sukses i kultivuesve, por duhet marrë ana tjetër e medaljes që lidhet me efektivitetin e punës policore në luftën kundër drogës.
“Fakti që ne kemi gjetur më shumë plantacione të mbjella, shikojeni në aspektin pozitiv. Nuk është shenjë se fenomeni po rritet, por është shenjë që policia është gjithnjë më shumë në dijeni dhe sot e luftojnë fenomenin”.
Sipas kolonel Minutto, duke iu referuar sipërfaqes mbi të cilat janë kryer fluturimet dhe duke pasur parasysh edhe afatet për sa i përket misioneve në raport me sipërfaqet e përgjithshme, çka përbën 17% të sipërfaqes së përgjithshme, nga këto sipërfaqe duhet të përjashtohen qendrat e banuara e rrjedhat e ujit, zonat e thepisura që nuk janë të destinuara për kultivimet tradicionale.
Që të gjithë diskutantët nga policia shqiptare dhe ajo italiane kanë vënë theksin se ky vit ka qenë shumë i suksesshëm në luftën kundër drogës.
Të dhënat e Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza
-Në vitin 2016 u asgjësuan 2836 parcela
-Nga 2086 parcela është ndërhyrë në 2082 prej tyre ose 99.8% të gjithë plantacioneve
– Në vitin 2015 u asgjësuan 1286 parcela
-Gjatë gjithë kësaj periudhe janë kryer 1592 procedime penale të nisura
-Prej këtyre 400 autorë të identifikuar dhe 248 të arrestuar
– Numërohen gjithsej 1260 operacione policie
-Janë angazhuar 8900 forca policie, 2600 mjete
-Kostoja totale e ndërhyrjes 521 milionë lekë
-Në total janë asgjësuar 2 milionë e 409 mijë bimë narkotike të shkatërruara
-463 mijë bimë janë shkatërruar si kubikë, e barabartë me mbi 20 % e bimëve të asgjësuar
-Mbi 4000 operacione në terren
Dyshimet: Lapsusi i policisë me 23 tonë hashash në Vlorë, Çako: Ishin 23 kilogramë
Komunikata sekrete e policisë raporton për një sasi prej 23 tonë kanabis të kapur gjatë operacionit në disa fshatra në Lumin e Vlorës. Por Drejtori i Policisë tha se ka një lapsus në këto raportime, për shkak të vendosjes së presjes dhjetore. Në asnjë rast policia nuk ka raportuar sasi kanabisi me presje dhjetore.
Për herë të parë Policia e Shtetit pranon një gabim në raportimin e shifrave të hashashit, duke luajtur me presjet dhjetore që zakonisht nuk përdoren as në rastet e kapjes së kokainës, drogë kjo shumëfish më e shtrenjtë se kanabis.
Operacioni i Vlorës ka vënë në vështirësi policinë, e cila prej disa ditësh është munduar të kalojë në heshtje duke mos dhënë asnjë detaj për sasinë reale të drogës së kapur.
Por pas publikimit të të dhënave në komunikatën sekrete të policisë, kreu i Policisë së Shtetit është detyruar të reagojë duke thënë se gjithçka ka ndodhur për shkak të një lapsusi.
Gjatë konferencës me përfaqësues të Guardia di Finanza, Drejtori i Policisë u pyet për sasinë e drogës së kapur gjatë operacionit në Vlorë.
Ai tha se gjithçka është e dokumentuar në dosje, ndërsa shtoi se nuk ka vlerë të diskutohet lapsusi që ka ndodhur mes kilogramëve dhe gramëve.
Por sipas komunikatës së brendshme të policisë rezulton se më datën 4 tetor janë raportuar të tjera sasi për operacionin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në zonën e Lumit të Vlorës.
“Më datë 4.10.2016, ora 23:30, në fshatin Vranisht, në 3 parcela, janë gjetur të mbjella dhe u asgjësuan 3250 bimë narkotike të llojit Cannabis Sativa, 900 bimë narkotike në proces tharje në dy kapanone, 16.009 kg me lëndë narkotike të llojit Cannabis Sattiva dhe 1 armë zjarri AK- 47 model 56”, thuhet në komunikatën sekrete të policisë.
Pra në këtë raportim pranohet se bëhet fjalë se në operacionin e parë në fshatin Vranisht të Vlorës ndër të tjera janë sekuestruar edhe 16 mijë kilogramë kanabis, pra 16 tonë.
Më tej komunikata jep të dhëna për operacionin e dytë në fshatin Treblovë, ku gjithashtu sipas shifrave të brendshme të policisë është sekuestruar një tjetër sasi e konsiderueshme.
“Më datë 4.10.2016, ora 23:30, në fshatin Treblovë, në 3 parcela, u gjetën të mbjella dhe u asgjësuan 1220 bimë narkotike të llojit Cannabis Sattiva, 820 bimë narkotike të llojit Canabis Sativa në proces tharje në 4 kapanone dhe 7.002 kg, 1 automatik AK-47, 1 pushkë model 56 dhe një sasi fishekësh”, thuhet në komunikatën sekrete.
Pra sipas policisë rezulton se në këtë operacion janë kapur 7 mijë kg ose 7 tonë kanabis, duke e çuar bilancin e operacionit në të dy fshatrat në 23 ton.
Pas disa ditësh heshtje dhe e mjaftuar me një deklaratë të shkurtër menjëherë pas përfundimit të operacionit, policia u detyrua të sqarojë nëpërmjet kreut të saj se gjithçka ka qenë një lapsus.
Por kjo deklaratë bie në kundërshtim me praktikën e deritanishme të raportimeve policore nga terreni, ku në asnjë rast nuk janë deklaruar shifra me presje dhjetore në rastet e gramëve të kanabisit.
Madje edhe gjatë sekuestrimit të kokainës nuk ka patur raporte të tipit: “U sekuestruan 7.0002 gramë kokainë”.
Situatën e komplikojnë edhe më shumë raportimet nga terreni, ku burime të policisë flasin për një sasi të konsiderueshme kanabisi të presuar, shifra e saktë e të cilit nuk dihet ende.
Një burim i policisë argumentoi se ishte e pamundur që në kushte të tilla të kryhej një peshim i saktë i lëndës narkotike, çka tregon se 7.0002 gramë nuk mund të peshohej kurrsesi edhe me peshore farmacie.
Edhe sikur të merret e mirëqenë fakti se janë ngatërruar presjet dhjetore, sipas deklaratës së Çakos, ato mund të ngatërrohen në ndonjë nga këto paragrafët por jo në të gjithë përshkrimet e operacionit të policisë.
Dyshime ngrihen se me çfarë peshore, policia e shtetit i ka peshuar këto sasi të bllokuara në një zonë malore, ku për të arritur atje duhet të ecet rreth 2 orë në këmbë.
Të gjitha këtyre elementeve ju shtohen edhe dyshimet e Prokurorisë për implikimin e zyrtarëve të lartë të policisë në këtë rrjet të kultivimit dhe shitjes së narkotikëve, çka ka bërë që policia vendore të shmangej nga operacioni.