Reagon zëdhënësi i Kishës Ortodokse Shqiptare, Thoma Dhima: Kisha bën pjesë në inventarin e pronave tona. Kryebashkiaku Goro: Nuk është pronë e Kishës. Pritet që INUV në Himarë të vijojë operacionin për prishjen e objekteve pa leje.
Ndizen debatet në lidhje me ndërhyrjen e INUV në prishjen e një objekti, që Kisha Ortodokse në Dhërmi pretendon se është pronë e saj. Ditën e djeshme, zëdhënësi i Kishës Ortodokse Shqiptare, Thoma Dhima u shpreh se “shteti po lejon të prishet një objekt fetar, duke prishur kështu marrëveshjen që ekziston mes shtetit dhe kishave, sipas së cilës, nuk mund të ndërhyhet në asnjë objekt fetar pa u njoftuar më parë. Sipas tij, objekti është prishur në vitin 1972 dhe më pas është ndërtuar sërish në 1992.
Në një prononcim për gazetën “Mapo”, zëdhënësi i Kishës Ortodokse Shqiptare tha se objekti në Dhërmi është nën administrimin e kishës dhe njihet si pronë e saj. “Nga sa jam informuar nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, më është thënë se objekti për të cilin bëhet fjalë, pra për kishën, nuk është i përfshirë në listën e trashëgimisë kulturore. Bëhet fjalë për një objekt, i cili është shkatërruar në vitin 1972 dhe më gurët e asaj kishe ishte ndërtuar një depo uji. Më pas, në vitin 1992, komuniteti vendas ndërtoi atë objekt që është sot dhe po tentohet që të shkatërrohet”.
Kështu deklaroi Dhima, ndërsa shprehu shqetësimin se iniciativa e INUV për prishjen e objektit është e paligjshme. Ndërkohë i menjëhershëm ishte reagimi i kreut të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, që tha se në lidhje me këtë rast nuk ka vend për diskutime, pasi objekti në fjalë nuk është kishë. Ai ka refuzuar të japë shpjegime të tjera lidhur me këtë çështje si dhe me aksionin e Inspektoratit Urbanistik Vendor.
Të tjerë zëra kanë qenë pro dhe kundër ndërhyrjes në këtë objekt që konsiderohet si pa leje nga ana e inspektorëve të INUV, ndërsa Kisha Ortodokse e quan ndërhyrje të rëndë në pronën e saj. Anëtari i kishës, Ilia Gjikopulli tha se “pastrimi i territorit është bërë dhe bëhet vetëm nga arkeologët sepse kërkojnë objekte arkeologjike në të, duke kështu dëmtuar ikonat e besimit tonë. Objektet nuk do t’i prekë askush, këta kanë vepruar fshehurazi, këtu ka pasur punonjës të bashkisë, por sapo kanë parë priftin janë larguar dhe nuk kanë komunikuar me të”.
Ndërsa një qëndrim krejt tjetër mbajti Artan Shkreli, këshilltari i Kryeministrit për çështjet e trashëgimisë kulturore, që në analizën e tij për këtë ngjarje argumenton se ndërhyrja e INUV ka qenë e nevojshme, pasi gjatë ndërtimit ka pësuar deformime nga projekti i saj. “Kisha historike e Shën Thanasit në Dhërmi, fatkeqësisht pëson deformime nga rindërtimi pa leje, duke detyruar INUV-in e Himarës të ndërhyjë.
Kontestimi antiligjor dhe i paarsyeshëm që OMONIA po i bën ndërhyrjes së policisë ndërtimore, ka të bëjë me faktin se injorojnë historinë e këtij vendi. “Pos të tjerash, në këtë kishë u varros edhe misionari Nilo Katalano. Aty është varrosur braziliani Nilo Katalano, që hapi shkollat e para shqipe”. Një gjë e tillë pranohet edhe nga Dhima, i cili tregon se është e vërtetë që aty, në atë vend ndodhet varri i Katalanos, por sipas zëdhënësit të Kishës Ortodokse Shqiptare, nuk është momenti që t’i bëhet historiku kësaj kishe, pasi ligjërisht njihet si objekt në pronësi të ortodoksëve.
“Ky veprim abuziv i disa punonjësve shtetërorë përbën veç të tjerash edhe shkelje flagrante të Ligjit nr. 10057/22.01.2009/ “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”, që garanton paprekshmërinë e vendeve të kultit dhe mbrojtjen e tyre nga shteti. Iniciativa të tilla abuzive private nën petkun zyrtar, duke iu nënshtruar interesave ogurzeza, duhen dënuar me forcë nga organet shtetërore, pasi cenojnë rëndë marrëdhëniet me komunitetet fetare.
Aq më shumë që akte të tilla kanë ndodhur vetëm me objektet ortodokse të kultit”. Kështu reagoi zyrtarisht Kisha Ortodokse Shqiptare pas lajmit se INUV i Himarës kishte ndërhyrë në prishjen e objektit pa leje, që pretendohet se është pronë e kishës. Gjithsesi, ende nuk ka tërheqje nga palët dhe duket se edhe në ditët e ardhshme do të jetë sërish objekt debatesh, që tashmë po merr të tjera ngjyrime. Kisha ankohet se po shkatërrohen objektet e kultit, nga ana tjetër, drejtues të pushtetit vendor pretendojnë të kundërtën, duke e konsideruar një objekt pa leje.