Quantcast
Channel: Kronika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8128

Përplasja me Shkrelin, ndërtimi i OMONIA-s dëmton kishën historike

$
0
0

shkreliKisha Ortodokse akuzon Bashkinë se do të prishë objektin e kultit, flet për paligjshmëri dhe tinëzari. Jorgo Goro: Godina është ndërtuar mbi një kishë të vjetër, e cila do të rikonstruktohet dhe kthehet siç ishte. Artan Shkreli: OMONIA po deformon objektin. Injorojnë historinë tonë. 

 

Kisha ka shërbyer si varr. Nilo Catalano, autor i një fjalori shqip-italisht, ka qenë i varrosur aty. Ai, mendohet se dha mësime të shqipes në Himarë qindra vjet para se të themelohej shkolla e parë. OMONIA pretendon se aty nuk është folur shqip.

Ndërhyrja e Policisë Ndërtimore (INUV) të Himarës për të ndaluar punimet pa leje në një kishë historike në Dhërmi e lidhur fort me mësimet e shqipes në zonë, është kthyer në konflikt me disa banorë që e kanë kundërshtuar ndërhyrjen. Këshilltari i kryeministrit, Artan Shkreli tha se ndërhyrja vjen nga OMONIA.

Ndërkohë ka reaguar ashpër edhe Kisha Ortodokse Shqiptare, që e ka krahasuar veprimin me prishjen e objekteve të kultit në diktaturë, duke e cilësuar atë pronësi të vetën. Ndërkohë nga Bashkia e Himarës mësohet se ndërhyrja është për të ndaluar dëmtimin e një monumenti kulture, që në historinë e tij nuk i përket kësaj kishe, por një misionari katolik nga Siçilia, i cili ka predikuar në këtë zonë në vitet 1600.

“Nuk ka kishë aty, ka një godinë historike”, – tha për Mapon Jorgo Goro, kryetar i Bashkisë së Himarës, duke i referuar faktit se bëhej fjalë për një monument. Goro sqaron se bëhet fjalë për një monument dhe se ndërhyrja bëhet për ta mbrojtur nga dëmtimi. Ai thotë se Bashkia do vijojë procedurat. “S’ka ndodhur asgjë shqetësuese. Godina është ndërtuar mbi një kishë të vjetër, që do të rikonstruktohet dhe kthehet siç ishte”, tha Goro për Mapon.

Më herët Kisha Ortodokse bëri një deklaratë, ku thuhet: “Tentativa për të dëbuar besimtarët nga një kishë e tyre, pronë e Komunitetit Ortodoks, është edhe më skandaloze po të mendosh se u bë në shkelje të të gjitha ligjeve të mundshme, fshehurazi dhe në mënyrë tinëzare”. Sipas saj, objekti i përket këtij komuniteti dhe se ndërhyrja aty është e paligjshme. Në komunikatë thuhet se po ashtu ishin hequr ikonat dhe se po synohej të prishej i gjithë objekti. Por nga të dhënat e Bashkisë dhe fotot bashkëlidhur, dallohet qartë objekti i vjetër, muret e gurit dhe ndërhyrja në të me beton dhe me blloqe betoni që e kanë dëmtuar atë.

Edhe pse Bashkia flet për rikonstruksion të kishës, Kisha Ortodokse e quan atë një akt të paligjshëm dhe mjaft të rëndë. Ajo thotë se ai shkel ligjin për paprekshmërinë e objekteve të kultit dhe njofton se është e vendosur ta mbrojë atë.

Ndërkohë këshilltari i kryeministrit Rama, Artan Shkreli publikoi foto të vjetra të kishës, ndërsa akuzoi se pas ndërtimit nuk ishin besimtarët, por organizata OMONIA. “Kisha historike e Shën Thanasit në Dhërmi, fatkeqësisht pëson deformime nga rindërtimi pa leje, duke detyruar INUV të Himarës të ndërhyjë. Kontestimi antiligjor dhe i paarsyeshëm që OMONIA po i bën ndërhyrjes së Policisë Ndërtimore ka të bëjë me faktin se ata injorojnë historinë e këtij vendi”,- tha dje Shkreli.

Nga ana e saj, Kisha Ortodokse flet për iniciativa private që duhet të dënohen rëndë. Ajo ankohet se incidente të tilla i kanë ndodhur vetëm kësaj kishe. Zëdhënësi i saj në faqen e Facebook e pranon se, sidoqoftë, kisha ka qenë po ashtu varri i Nilo Catalanos, i cili ka shërbyer si kryepeshkop katolik në Durrës dhe Himarë.

Nilo Catalano ka qenë dijetar italian, që ka njohur gjuhën shqipe dhe ka shërbyer në Shqipëri dhe në Himarë në vitet 1677 i emëruar si kryepeshkop i Durrësit në janar 1693. Catalano njihet për shkrimin e një fjalori shqip-italisht dhe po ashtu për një përmbledhje të këngëve arbëreshe. Ai ka dhënë mësime të shqipes tek arbëreshët në Itali dhe mendohet se kishte hapur në Himarë një shkollë shqipe. Historia e Catalanos shkon përkundër pretendimeve të OMONIA-s se zona ka qenë dhe është e banuar nga minoriteti grek.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8128

Trending Articles