Reshjet e dendura të shiut të rëna pasditen e kësaj të hëne kanë vështirësuar së tepërmi lëvizjen e kalimtarëve dhe drejtuesve të automjeteve.
Për nga intensiteti i reshjeve, ka mjaftuar vetëm disa minuta shi, që shumë nga rrugët kryesore të qytetit të Durrësit të kalohen me vështirësi për shkak të pranisë së ujit deri gati në nivelin e trotuareve.
Situata më e vështirë ka qenë për kalimtarët, të ndodhur në vështirësi për të kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën.
Nga raportimet në terren gjendja më e rënduar ka qënë në zonat të njohura tashmë për përmbytjen e tyre sa herë regjistrohen reshje të dendura shiu, si Stacioni i Trenit, rreth rrotullimi pranë Kishës Ortodokse në rrugën “Egnatia”, rruga “Aleksandër Goga” (sidomos pjesa nga Muzeu i Dëshmorëve deri te Policia), lagja nr.18 etj.
Rrjeti i kanalizimeve e ka pasur të pamundur të përballojë intensitetin e reshjeve dhe Durrësit si çdo herë tjetër i duhet të kthehet në Venecia.
Dy ditë më parë, kur qyteti bregdetar u përmbyt nga reshjet e shiut, në rrjetet sociale qytetarë të shumtë bënin ironi duke deklaruar se nevojiteshin gomonet për të përshkuar rrugët e Durrësit.
E përderisa tashmë jemi në stinën e vjeshtës e dimri nuk do vonojë të trokasë gomonet ndoshta do jenë zgjidhja praktike për qytetarët në situata të tilla.