Në 8 muajt e parë të 2016-s në Amsterdam të Holandës janë arrestuar 60 shqiptarë, ndërsa janë sekuestruar armatime, miliona euro dhe drogë. Ky është bilanci i policisë së Amsterdamit.
Qindra kilogramë kokainë, miliona euro, armatime te sekuestruara dhe 60 shqiptarë të arrestuar.
Bilanci i policisë së Amsterdamit në 8 muajt e parë të vitit 2016 ka qenë befasues për vete drejtuesit e policisë në Holandë, si dëshmi për fluksin e kriminalitetit që eksporton Shqipëria drejt perëndimit.
Një burim pranë policisë së Amsterdamit tha që në dhjetëra apartament luksoze të banuara nga shqiptarë janë konfiskuar të paktën 3 milion Euro dhe më shumë sesa 200 kilogram kokainë.
Një nga ngjarjet më të bujshme ku janë përfshire shqiptarët është ajo e dhjetorit të vitit të kaluar. Dy emigrantë u qëlluan në kokë me pistoletë, kur po dilnin nga një restorant në Amsterdam.
Autorët të krimit nuk u kapën kurrë, por policia e klasifikoi ngjarjen si hakmarrje mes bandave që kontrollojnë trafikun e drogës.
Grupet kriminale shqiptare duket se janë fuqizuar së tepërmi vitet e fundit, për shkak të fitimeve kolosale që sigurojnë përmes shitjes së drogave të forta, si kokaina. 13 shqiptarë u arrestuan nga policia vetëm në një aksion në fund të muajit gusht.
Në shtëpitë e tyre, u gjet drogë dhe një sasi e konsiderueshme parash. Burime zyrtare të policisë së Amsterdamit thanë se rritja e aktivitetit kriminal të shqiptareve po hetohet nga dy grupe të policisë, një i policisë hetimore dhe një grup i specializuar në krimet ekonomike.
Të dyja janë në bashkëpunim të vazhdueshëm me Bashkinë e Amsterdamit./Abcnews/