Ministria e Brendshme ftoi gazetarët e kronikës që të ndiqnin nga afër operacionet policore, në luftën kundër drogës. Vetëm në Poçem të Mallakastrës zbulohen dhe asgjësohen 40 mijë bimë narkotike. Shumë drogë e asgjësuar në të gjithë vendin, fare pak të arrestuar.
Fushat me kanabis në zonën e jugut të vendit, veçanërisht në Mallakastër shihen për disa çaste edhe nga ajri. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka ftuar dje në bordin e helikopterit edhe gazetarët për të parë nga afër operacionet policore në luftën kundër kanabisit. Ndërhyrja u përqendrua në zonën e Poçemit pranë disa kodrinave.
Parcelat e mbjella me bimë narkotike ishin të shumta dhe kjo është konstatuar si nga pamjet, nga ajri, ashtu edhe në terren, ku kultivuesit i kishin marrë masat që në çdo moment të ishin si në shërbim të bimëve, ashtu edhe në ruajtjen e tyre. Madje disa trafikantë kishin ngritur kampingje pranë arave me kanabis, duke mbajtur për ushqim edhe pula dhe shpendë të tjera. Me ditë të tëra janë kujdesur për rritjen e kanabisit, duke bërë që për të paktën dy muaj ta ndienin veten “zotër” të drogës, për shkak të mungesës së ndërhyrjeve.
Gjithsesi, shpresat e tyre se mund t’i shpëtonin policisë dhe siguronin shuma të konsideruara nga shitja e drogës janë prerë dje, pas aksionit policor. Në ditët në vijim pritet një ndërhyrje edhe më e fortë nga ana e strukturave të rendit, të cilët janë të organizuar në rang qarqesh dhe planet operacionale marrin edhe firmën e zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit. Gjatë operacionit të djeshëm janë asgjësuar rreth 40 mijë bimë narkotike, ndërsa u shoqëruan tetë persona, të dyshuar si punëtorë të kanabisit.
Nga strukturat e Ministrisë së Brendshme është menduar që të bëhet reklamim i punës së policisë në luftën kundër drogës dhe pas “shëtitjes” së gazetarit të “The Economist”, Tahiri ditën e djeshme ka ftuar edhe gazetarët e kronikës në televizione për të parë nga afër një ditë operacionale të strukturave të rendit. Burime konfidenciale të policisë shprehen se para se të ndërhyhet në terren sigurohen të dhëna operative mbi parcelat me kanabis dhe më pas kryhen aksionet. Në javët e fundit është fluturuar me helikopterë disa herë për të evidentuar zonat e mbjella me kanabis dhe pasi sigurohen pamje filmike dhe fotografi që evidentojnë parcelat me kanabis, hartohet plani i ndërhyrjes në terren.
Ajo që është problematike mbetet fakti se ndonëse janë asgjësuar qindra mijëra bimë narkotike, numri i personave të arrestuar në flagrancë, si pronarë të këtyre parcelave, është mjaft i ulët. Shpeshherë trafikantët dhe madje edhe rojet dhe punëtorët lajmërohen para se të mbërrijë policia dhe arrijnë që të largohen.
Kjo ka shtuar dyshimet se ka dekonspirim të operacioneve dhe efektivë të ndryshëm të policisë, që nga shefat e sektorëve deri në inspektorë zonash mund të jenë të lidhur me kultivuesit. Ndaj është menduar që shpesh efektivët e policisë vijnë nga rrethe të tjera dhe vetëm një numër i vogël i policisë lokale ku ndërhyhet kanë dijeni.
Në gjithë vendin vetëm ditën e djeshme janë zhvilluar 19 operacione në rrethe të ndryshme ku u angazhuan 670 forca policie. Ndërsa pritet që të ketë aksione të vazhdueshme edhe në zonën e Dukagjinit, ku të dhënat që ka siguruar policia flasin për qindra parcela të mbjella në zona të thella malore. Gjithashtu edhe një tjetër zonë po në Qarkun e Shkodrës është edhe Puka, ku janë evidentuar disa parcela të mbjella me bimë narkotike./Mapo.al/