Një ngjarje e rëndë është shënuar përpara Bashkisë së Kavajës.
Një person, i quajtur Saimir Kurti ka plagosur tre persona.
Sipas News24, ngjarja ka ndodhur për motive banale.
Ky televizion informon se Kurti ka qenë i angazhuar në strukturat e Partisë Socialiste.
Kurti ka qëlluar me armë zjarri pasi fillimisht është konfliktuar fizikisht me viktimat e tij.
Të plagosurit janë Eqerem Kazazi, i biri i tij, Irkid Kazazi dhe Dritan Xhika.
Autori i krimit është arrestuar.
Ai ka qenë më parë Drejtor i Zyrës së Punës në Kavajë, por u denoncua nga PD.
“Një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria dy vite më parë, me akuzën e kontrabandës, është gjetur nga Edi Rama dhe është emëruar menjëherë Drejtor i Zyrës së Punësimit në Kavajë,” deklaroi Partia Demokratike në mars të vitit 2014.
Nuk vonoi shumë se Shërbimi Kombëtar i Punësimit njoftoi dorëheqjen e drejtorit të Zyrës së Punës në Kavajë, Saimir Kurti.
Nga ana e tij, Kurti u shpreh se nuk është në kërkim dhe se PD po bën një fushatë shpifjesh ndaj tij.
Sipas gazetares së News24, sherri ka nisur në lokalin e familjes Kazazi.
Shkak për sherrin ka qenë një debat për lirimin e kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi.
Sherri fizik ka degjeneruar në përdorimin e armës nga ana e Kurtit.
Raportohet se Dritan Xhika është plagosur aksidentalisht.