Bledar Muça dhe një punonjëse policie mbetën të plagosur nga një atentat i ndodhur sot pranë Gjykatës dhe Prokurorisë së Elbasanit.
Shënjestër mendohet se ishte Bledar Muça, i cili ishte bashkë me Florenc Çapjen. Ndërsa efektivja e policisë u plagos rastësisht nga breshëria e automatikut teksa po kalonte në rrugë.
Shqyrtimi i kamerave të sigurisë që ndodhen tek institucionet dhe biznese do të hedhë dritë mbi ngjarjen për të kuptuar më mirë dinamikën.
Deri tani mësohet se autori hapi zjarr në mënyrë të pakontrolluar ndaj Bledar Muçës, duke e lënë këtë të fundit të plagosur pasi u gërvisht në kokë nga plumbi. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, po kështu edhe punonjësja e policisë që u plagos rastësisht.
Pasi dështoi në atentat, autori hodhi kallashnikovin, por arma ngeci në mur, siç duket edhe në foton e publikuar nga ‘Noa’. Më pasi, atentatori u largua mes rrugicave.
Ndërkohë, burime nga policia bëjnë me dije se janë shoqëruar në komisariat 15 persona, kryesisht dëshmitarë të ngjarjes. Policia vazhdon punën për të identifikuar dhe arrestuar autorin e ngjarjes.