Quantcast
Channel: Kronika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8128

Kallëzimi i KLSH: Hetimet për CEZ, Prokuroria vendos brenda javës

$
0
0

Llalla2Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar të gjitha veprimet hetimore mbi kallëzimin penal të KLSH-së, e cila pretendon se shtetit i është shkaktuar një dëm prej 479 milionë eurosh nga zgjidhja me pajtim e konfliktit me CEZ. Dosja pritet të diskutohet me Prokurorin e Përgjithshëm dhe brenda javës, prokuroria do të dalë me një vendim për këtë çështje.

Prokuroria e Përgjithshme hetoi për 8 muaj kallëzimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili pretendon se ka gjetur një dëm prej 479 milionë eurosh në kontratën e pajtimit mes CEZ dhe qeverisë shqiptare.

Pas verifikimeve të para, ky kallëzim u kthye në një çështje penale nga prokuroria, e cila hetoi çdo veprim të grupit të punës, që kryesohej nga ministri i Energjisë.

Bashkë me të, prokuroria hetoi edhe veprimet e Avokatit të Shtetit, i cili ka qenë përfaqësues i palës shqiptare gjatë negociatave të bëra me grupin CEZ, i cili zotëronte shumicën e aksioneve në Sistemin e Shpërndarjes së Energjisë.

Prokuroria tashmë ka përfunduar hetimet për këtë çështje, duke mbledhur të gjithë informacionin e nevojshëm.

Grupi hetimor ka verifikuar të gjitha pretendimet e KLSH-së, e cila thotë se zyrtarët që kanë negociuar dhe firmosur kontratën me CEZ i kanë shkaktuar shtetit një dëm të konsiderueshëm financiar.

Po ashtu, ka marrë edhe dëshminë e zyrtarëve të kallëzuar, të cilët pretendojnë se jo vetëm që nuk ka asnjë dëm, por kjo ishte zgjidhja më e mirë që mund të arrihej në kushte kur kontrata për privatizimi e CEZ favorizonte palën blerëse.

Një armë e fortë e përdorur nga të kallëzuarit është edhe fakti që kjo kontratë u miratua nga Parlamenti duke hapur edhe një debat të fortë nëse lejohej ose jo hetimi i ish-drejtuesve të CEZ për abuzime të mundshme me detyrën.

Por ky debat u shua pasi prokuroria mori në cilësinë e të pandehurit ish-drejtorin e CEZ në Shqipëri, Josep Hejsek, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasin Kastriot Ismailaj në mashtrimin 5 milion euro, me mbledhjen e borxheve të kompanisë së energjisë.

Tashmë që kjo çështje ka hyrë në dyert e drejtësisë, prokuroria është në dilemë për fatin e ministrit Gjiknuri, i cili është ministri i vetëm i qeverisë së majtë që po hetohet nga prokuroria.

Dosja me të gjitha provat dhe dëshmitë e mbledhura nga hetimi 8-mujor pritet të diskutohet me Prokurorin e Përgjithshëm brenda kësaj jave, kur do të merret dhe vendimi për ministrin Gjiknuri dhe avokaten e shtetit.

Në tetor të vitit të shkuar, KLSH i dorëzoi prokurorisë një dosje voluminoze pas një kontrolli të bërë mbi procedurat e ndjekura për zgjidhjen me pajtim të konfliktit mes CEZ dhe palës shqiptare.

KLSH tha se grupi i punës i kryesuar nga ministri i Energjisë i ka sjellë shtetit një dëm prej 479 milionë eurosh, e ndarë në: 95 milionë euro pagesa e dakordësuar në Marrëveshje, vlera 352 milionë euro detyrime financiare të prapambetura, rrjedhojë e keqmenaxhimit 2009-2012 dhe 32 milionë euro zhvlerësimi në zero i vlerës se 24% te aksioneve te Shtetit.

Në kallëzim thuhet se referuar përmbajtjes së Marrëveshjes për Zgjidhjen me Mirëkuptim, të nënshkruar më datë 23.6.2014, nga Grupi i Punës i kryesuar nga ministri Gjiknuri, evidentohen fare qartë elementet e një marrëveshjeje tërësisht të pabarabartë dhe jo në proporcion me pretendimet e deriatëhershme të shtetit shqiptar ndaj CEZ a.s.”.

Sipas KLSH-së, janë tri momente që kanë shkaktuar dëmet e mëdha financiare.

E para, lidhet me shumën prej 95 milionë eurosh paguar grupit CEZ në këmbim të heqjes dorë nga paketa e vet e aksioneve në operatorin e sistemit shqiptar të shpërndarjes së energjisë.

Kjo vlerë, sipas ekspertëve të KLSH-së, është “e pabazuar në dokumentacion financiar për përdorimin e kredive dhe huave dytësore, apo njohje të drejtash nga CEZ Shpërndarje sh.a.”.

Një pikë e dytë e ngritur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka të bëjë me detyrimet që CEZ-i kishte ndaj të tretëve e që rezulton të jenë 325 milionë euro.

Ndërsa çështja ka të bëjë me “vlerën 32 milionë euro, për zhvlerësimin e vlerës së tregut të 24% të aksioneve të shtetit në CEZ Shpërndarje sh.a.”


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8128

Trending Articles