
Pas një hetimi dymujor, policia në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit gjyqësor Durrës bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e vrasjes së ndodhur në fshatin Shkallë.
Hetimet u ngushtuan në rrethin e familjarëve të viktimës dhe pas përgjimeve e metodave të tjera speciale të hetimit u ndaluan si autorë të dyshuar bashkëshortja Bardhe Djaloshi, 46 vjeçe dhe dy djemtë, përkatësisht Arban Djaloshi 26 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje dhe vëllai i tij 16.
Sipas policisë, organi i akuzës ka urdhëruar ndalimin e tyre për veprën penale të “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”. Mirosh Djaloshi gjeti vdekjen si pasojë e goditjeve me sende të forta në kokë.
Nga hetimet rezulton se motiv për vrasjen janë bërë konfliktet e brendshme familjare, të cilat në kohën e krimit ishin mjaft të acaruara.
Pas zbardhjes së këtij krimi, policia e Durrësit bën të ditur se po punon për zbulimin dhe dokumentimin e të gjitha ngjarjeve të rënda të ndodhura në qarkun e Durrësit e që ende janë pa autorë.
/ Top Channel