Ylvi Beqaj, administrator i kompanisë “Saudi Brothers Commercial Company”, është ftuar për të dëshmuar pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Beqaj, njihet dhe si personi që ka firmosur kontratën e dhurimit të 30 për qind të pronës së ish-hotel Vollga në Durrës, tek Emilano Shullazi.
Burime pranë kësaj prokurorie thanë se Ylvi Beqaj nuk është paraqitur në prokurori, me argumentin se atë nuk e ka kërcënuar askush gjatë momentit të dhurimit të pronës tek Shullazi.
Një burim pranë organit të akuzës, i tha gazetës “Shqiptarja.com” se për të bindur administratorin e kompanisë “Saudi Brothers Commercial Company”, të dëshmojë në prokurori, rreth mënyrës së dhurimit të superpronës tek Emiljano Shullazi, ka marrë kontakt me të direkt drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj.
Ky i fundit mendohet se i ka ofruar Ylvi Beqajt garanci dhe siguri në këmbim të dëshmisë së tij. Mësohet se Beqajt i është ofruar dhe statusi i të penduarit apo bashkëpuntorit të drejtësisë, por në fakt nga sa mësohet Beqaj nuk ka pranuar të flasë në prokurori për këtë ngjarje.
Beqaj ka pretenduar se gjithçka ka qenë e ligjshme dhe se Shullazit ia ka dhuruar me dëshirë pronën, pasi ai dikur i kishte bërë një nder. Nuk dihet me saktësi se cili ishte nderi. Sipas tij, pronari i kësaj kompanie arabi Abdulaziz Al-Noëaiser, e ka caktuar administrator Beqaj, kjo për shkak edhe të njohjes së dikurshme me të, pasi Ylvi Beqaj njihet si person që beson në islam dhe predikon fenë islame. E gjithë praktika është bërë në mënyrë ligjore dhe me dëshirë të Beqajt.
Konflikti në fjalë tashmë po investigohet nga dy prokurori ajo e Durrësit dhe Krimet e Rënda në Tiranë.
Por nga ana tjetër ndaj Emiliano Shullazit nuk ka asnjë kallëzim penal për kërcënim apo kanosje me armë, me qëllim tjetërsimin e kësaj prone. (shqiptarja.com)