Autopsia ka zbardhur tashmë shkakun e vdekjes së pilotëve në aksidentin ajror, kur helikopteri ushtarak u rrëzua në liqenin e Shkodrës. “Panorama” shkruan se, dje Prokuroria administroi në dosje edhe autopsinë e dy viktimave të aksidentit ajror.
Dy ushtarakët, kapiten Florian Delia dhe toger Donald Hoxha, të shpallur “Dëshmorë të Atdheut”, sipas ekspertëve të mjekësisë ligjore kanë humbur jetën nga rënia e menjëhershme e helikopterit në ujë dhe përplasja e fortë.
Sipas specialistëve, vdekja e pilotëve ka ardhur si pasojë e shokut traumatik të pësuar nga përplasja e fortë e mjetit fluturues me ujin. Vdekja ka qenë e menjëhershme si pasojë e shembjeve të rënda që viktimat kanë pësuar në pjesën e kraharorit.
Ka dyshime se helikopteri ka qenë në një lartësi jo të madhe nga toka kur ka pësuar defekt.
Më pas ai ka rënë pikiatë mbi sipërfaqen e ujit dhe gjatë kësaj rënie, ushtari profesionist Gerald Baramuça, është përplasur në pjesën e pasme të kabinës, duke vrarë shpatullën e më pas ka arritur të dalë e të hidhet, pasi mjeti ka anuar nga e majta.