Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri vazhdoi betejën e tij me gjyqësorin duke e barazuar këtë të fundit me krimin në rrugë, kur u tregoi armikun rekrutëve të Policisë së Shtetit, raporton ABCNews.
Merakun vazhdon ta ketë me gjyqtarin e Vlorës, Laurent Fuçia, ndërsa replikën e shtriu me të gjithë Unionin e Gjyqtarëve.
“Para pak ditësh denoncova një gjyqtar në Vlorë që kishte nxjerrë nga burgu një person që nga policia ishte arrestuar me armë në brez. Aq merak e kishte ky gjyqtar lirimin e këtij personi, sa dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të cilin e ka bërë motiv për ta liruar, e ka zbatuar dy ditë para se të hynte në fuqi. Pashë që reagoi dhe Unioni i Gjyqtarëve. Në fakt po pyesja veten, mirë gjyqtari, se mbase ka hallet e veta, po këta të unionit që i dolën në mbrojtje, kanë kalendar?”, tha Tahiri.
Përballë aplikantëve që kërkojnë të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit, ministri i Brendshëm iu referua edhe 8-vjetorit të tragjedisë së Gërdecit.
“Sot në fakt mbushen tetë vjet nga një ngjarje që shokoi rëndë, jo vetëm Shqipërinë, por edhe ndërgjegjen kolektive të qytetarëve. Ka vite burg në kurriz të atyre që ishin përgjegjës për atë ngjarje më pak sesa viktimat e asaj ngjarje. Dhe ndërkohë një ndër autorët është sot në një vizitë jashtë Shqipërisë për të folur për reformën në drejtësi dhe për dekriminalizimin.
Përtej kësaj, unë respektoj çdo gjyqtar të ndershëm, çdo union që mbron interesat më të larta të publikut, por as respektoj dhe as do ndaloj së denoncuari publikisht çdo gjyqtar të korruptuar dhe çdo korporatë kriminale që bëjnë gjyqtarët me njëri-tjetrin në kurriz të qytetarëve. Gjyqtarë e Union Gjyqtarësh, pavarësinë, respektin e shoqërisë të mos e kërkojnë me deklarata, ku i dalin në mbrojtje njëri-tjetrit edhe kur janë gabim. Por, ta fitojnë duke shërbyer me dinjitet, ndershmëri dhe drejtësi për çdo qytetarë.
Unë i jap të drejtë çdo njërit prej jush që mendon se është punë e vështirë kjo e policisë. Akoma e vështirë kur duhet të luftosh dy herë: një herë me krimin në rrugë dhe një herë me gjyqtarin që liron kriminelin që arreston policia. Por nuk ka asnjë motiv për t’u dekurajuar. Sepse armiku ynë më i madh (përveç atij që është në rrugë) është edhe ai që fshihet pas çekiçit. E që rreh çekiçin, i korruptuar, për të liruar atë që arreston policia”.
Kur Tahiri kishte dërguar të gjitha mesazhet, kryeministrit që zuri podiumin pas tij, nuk i mbeti veçse të mbronte vartësit, duke folur për organizim politiko-mediatik kundër tij.
Rama theksoi se kur mori Qeverinë trashëgoi një polici të paarsimuar dhe të keqtrajtuar, ndërsa sot e cilësoi atë si institucionin më të besuar.