Njëmbëdhjetë persona kanë përfunduar në prangat e policisë greke, pjesë e një bande që merrej me shpërndarjen e drogës në Universitetin e Selanikut.
Gazetat greke bëjnë me dije se të arrestuarit janë të moshës nga 20 deri në 41 vjeç, ndërsa në krye të bandës ishte një 29 vjeçar shqiptar. Nga 11 personat e arrestuar, vetëm një prej tyre është grek.
Veprimtaria e bandës koordinohej nga 29 vjeçari shqiptar, ndërsa veprimtarinë e vet e kishte shtrirë kryesisht muajt e fundit në Universitetit “Aristoteli” në Selanik. Shqiptari u përpoq t’i shmangej arrestimit, duke tentuar të largohej me një motor, por që u arrestua më vonë.
Policia greke sekuestroi 13 pako lëndë narkotike kanabis sativa, e gatshme për blerësit e radhës. Tre nga të arrestuarit kanë pasur precedentë të mëparshëm të policisë.
Banda funksiononte në këtë mënyrë: shqiptari ishte organizatori, 4 anëtarë merreshin me furnizimin, ndërsa 5 të tjerë vëzhgonin situatën, ndërsa një tjetër ruante të ardhurat nga shitja e drogës./Ora News/