Quantcast
Channel: Kronika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8128

Ja si u vra Kërtusha: Tentuan ta nxjerrin edhe nga taksia

$
0
0

makina policieProkuroria e Durrësit kërkon masën e sigurisë “arrest me burg” për pronarin e lokalit ku ndodhi vrasja, Gëzim Kajno dhe nipin e tij Bledar Kajno, të cilët edhe pasi e kanë qëlluar me armë Kërtushën kanë tentuar ta marrin nga taksia që po e transportonte për në spital.

Pamjet e kamerave të sigurisë kanë ndihmuar prokurorinë në zbardhjen e dinamikës së vrasjes së Asllan Kërtushës, i njohur si mik i Denis Shtrazës, i akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut në Durrës.

Xhaxha e nip, sipas prokurorisë, dyshohen se kanë vrarë Kërtushën pasi ai në gjendje të dehur ka ofenduar kamerierin e lokalit në pronësi të shtetasit Gëzim Kajno.

Pamjet filmike nuk kanë fiksuar momentin e qëllimit me armë të Kërtushës, por pjesën e sherrit përpara, ku aksidentalisht Gëzimi ka plagosur nipin e tij në momentin që qëlloi Kërtushën me qytën e pistoletës.

Më pas ai e ka qëlluar dhe më armë 32-vjeçarin Kërtusha, i cili më pas ka ndërruar jetë në spitalin e Durrësit.

Por kamerat e sigurisë sipas prokurorisë tregojnë se edhe pse në gjendje të plagosur, xhaxha e nip kanë goditur Kërtushën dhe kanë tentuar ta nxjerrin nga taksia që po e transportonte atë në spital. Të dy personat u arrestuan pas vrasjes, ndërsa Prokuroria e Durrësit kërkon ndaj tyre caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg”.

Fillimisht u dyshua se vrasja e Kërtushës mund të kishte si motiv arrestimin e Denis Shtrazës, i dyshuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut, pasi Shtraza dhe Kërtusha janë miq mes tyre.

Por kjo pistë u hodh poshtë nga hetimet e para të prokurorisë, dëshmitë e mbledhura dhe pamjet e kamerave të sigurisë së lokalit ku ndodhi ngjarja.

Të arrestuarit sipas prokurorisë dyshohen për “vrasjes me dashje”, e kryer në bashkëpunim dhe “armëmbajtje pa leje”, për ngjarjen e ndodhur në dt. 1.3.2016, ku mbeti i vdekur me armë zjarri shtetasi Asllan Kërtusha.

Në bazë të veprimeve procedurale të deritanishme rezulton se viktima Kërtusha, mesditën e datës 1.3.2016, ka qenë duke konsumuar pije alkoolike në lokalin e shtetasit Gëzim Kajno.

Rreth pasdites, në gjendje të rënduar për shkak të alkoolit, ai ka nisur të fyejë dhe ofendojë kamerierët e lokalit, të cilët kanë njoftuar pronarin, Gëzim Kajno.

Ky i fundit është afruar në lokal, së bashku me nipin e tij, Bledar Kajno dhe kanë tentuar ta qetësojmë shtetasin Kërtusha, i cili gjendej në ambientet e brendshme të lokalit.

Pasi kanë diskutuar së bashku në tavolinë, Kërtusha dhe pronari i lokalit, Gëzim Kajno, kanë dalë në ambientet e jashtme të lokalit, ku kanë filluar të grinden fizikisht. Kjo situatë është fiksuar edhe në kamerat e sigurisë së lokalit.

Nga këqyrja e pamjeve filmike duket shtetasi Gëzim Kajno që, pas konfliktit fizik, ka një armë tip pistoletë në dorë, me qytën e së cilës godet në kokë dhe në fytyrë Kërtushën.

Nga goditja me qytë, pistoleta ka kryer qitje, nga e cila ka mbetur i plagosur në krah nipi i Gëzimit, Bledar Hajno.

Më pas, konflikti shmanget nga objektivi i kamerës. Në një moment të dytë, personat në konflikt shfaqen sërish në kameran e sigurisë, kësaj radhe pranë një taksie, ku Kërtusha po tentonte të hipte dhe duket që ishte i plagosur.

Te dera e taksisë, shtetasit Gëzim dhe Bledar Kajno e arrijnë sërish dhe e godasin sërish, duke tentuar ta nxjerrin nga taksia.

Megjithatë, taksia është nisur së bashku me Kërtushën drejt spitalit të Durrësit, ku ka mbërritur i vdekur me një plumb në pjesën e kraharorit.

Pas vrasjes, fillimisht është arrestuar shtetasi Bledar Kajno dhe një ditë më pas, Gëzim Kajno dhe të dy personat dyshohen për “vrasje me dashje në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Sipas prokurorisë, këto janë të dhënat e hetimit të deritanishëm, ndërsa hetimi përfundimtar për këtë vrasje do të vijojë deri në zbardhjen e të gjithë elementeve të ngjarjes.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8128