I konsideruar deri tani si një nga bashkëpunëtorët e drejtësisë, status nga i cili do të përfitonte lehtësira në dënimin e tij, Julian Sinanaj i njohur si vrasës me pagesë, mesa duket nuk do ta ketë me këtë pozicion.
Prokuroria do të kërkojë heqien e statusit të të penduarit për këtë të pandehur pas deklarimeve të fundit të bërë prej tij në seancat gjyqësore.
Ndonëse proçesi po zhvillohet me dyer te mbyllura, mësohet se i pandehuri ka mohuar shumë prej krimeve, për të cilat më parë ka pretenduar se i ka kryer dhe për këto janë siguruar dhe provat.
Ky pozicion i ri i tij ka bërë që organi i akuzës të propozojë daljen e tij nga shërbimi i mbrojtjes dhe kjo pritet të finalizohet në seancën ku organi i akuzës do të japë konkluzionët përfundimtare.
Ndryshe nga bashkëpunëtorët e tjerë të drejtësisë, pretendimet e të cilëve janë në unison me përfaqësuesit e Prokurorisë, Julian Sinanaj ka shfaqur vetëm kundërshti me prokurorët në sallën e gjyqit.
Kjo u duk që në seancën e parë të hapjes së shqyrtimit gjyqësor, ku Sinanaj akuzoi prokurorët për hetim jo të plotë dhe për mosarrestimin e disa personave për të cilët ai vetë u kishte pohuar fakte kriminale.
Akuzat e tij të herëpashershme drejt përfaqësuesve të akuzës apo gjykatës po vënë në rrezik serioz proçesin, pasi avokatët e të pandehurve të tjerë në proçes kanë ngritur pretendime për pabesueshmëri të thënieve të Sinanajt.
Statusi i bashkëpunëtorit merret me vendim të Komisionit të Posaçëm pranë Zyrës për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, i cili drejtohet nga zëvends/Ministri i Brendshëm./ora news/