Gjuetia rreth njëjavore për Audin e verdhë ka marrë përmasat e një reality show në Itali.
Janë të paktën 100 agjentë policie që janë vënë në kërkim të 3 banditëve, të tre rreth të tridhjetave, me shumë gjasa nga vendet e Europës Lindore, ndoshta edhe shqiptarë – shkruan e përditshmja La Stampa.
Pavarësisht se gjatë gjithë kohës janë në ndjekje nga forcat e rendit, nën monitorimin e telekamerave të autostradës, të fotove që janë hedhur në internet dhe të grupeve të krijuara për ta në rrjetet sociale dhe njoftimeve të shumta nga banorët italiane mbi vendndodhjen e tyre të mundshme, policia nuk po arrin t’i kapë.
Kemi të bëjmë me një psikozë, shkruan La Stampa.
Dyshohet se zona ku mendohet se ndodhen të tre këta persona, është rreth Trevizos dhe Venecias.
Një grua thotë se kishte parë një Audi të verdhë t’i vinte përballë në drejtim të kundërt në autostradë si një raketë. Shpejtësia marramendëse e kishte penguar t’i shihte drejtuesit fytyrën.
Kishte gjithashtu xhama të zinj.
Sinjalizime ka pasur të dielën në disa zona të Trevizos, mes tyre në qendër dhe zonën e unazës.
Të gjitha denoncimet e qytetarëve janë verifikuar nga autoritetet dhe rezultojnë të sakta.
Në Prokurorinë e Venecias është hapur edhe një dosje për ta.
Ndaj tyre, që tani rëndojnë shkelje si tejkalim shpejtësie dhe manovra të rrezikshme në autostradë, rezistencë ndaj policisë meqenëse nuk u janë bindur urdhërave për të ndaluar dhe grabitje pasurie meqë Audin e verdhë me të cilin lëvizin, e kanë grabitur.
Deri më tani, kontakti i vetëm mes tyre dhe policisë ishte mbrëmjen e të enjtes.
Ata nuk iu bindën urdhërit të policisë së Triestes për të ndaluar në një postobllok në Proseko.
Pavarësisht se policia u drejtoi armët, madje edhe i qëlloi tre herë, ata vijuan rrugën me një shpejtësi prej 270 km/orë.
Audi i tyre i verdhë, sfidon edhe automjetet super të shpejta Lamborghini të policisë së rajonit të Venetos./ABC