Orët e mbrëmjes kanë sjellë një lajm të keq nga Veriu i vendit. Një person është ekzekutuar në aksin Lezhë-Shkoder rreth orës 20:35 të mbrëmjes së sotme, ndërsa udhëtonte drejt Shkodrës.
Ekzekutimi i tipit mafioz ndaj ish-efektivit Dritan Lorenci, dyshohet të ketë lidhje me një vrasje më 14 tetor të vitit 2011. Lorenci po udhëtonte me një makinë tip “Lançia” me targa “AA 479 KJ”, në momentin kur dhe është qëlluar në ecje e sipër nga nje tjetër automjet.
Ish-polici Dritan Lorenci, në vitin 2011 (në atë kohë polic në detyrë) së bashku me një tjetër, vranë një person dhe plagosën një tjetër. Vrasja në vitin 2011 ndodhi në Gjykatën e Lezhës gjatë një gjyqi ku shqyrtohej një mosmarrëveshje pronësie mes dy familjeve.
Për atë ngjarje, Prokuroria kërkoi 18 vite burg për ish-policin Dritan Lorenci dhe 15 vjet për bashkëpunëtorin e tij. Por, në vitin 2013 Gjykata e Laçit vendosi të shpallë të pafajshëm dy të akuzuarit.
Nuk është e sigurt nëse atentati i sotëm në aksin Lezhë-Shkodër ka lidhje me vrasjen e vitit 2011.
Personi i vrarë u qëllua me armë zjarri në automjetin e tij, nga një makinë tjetër në lëvizje në fshatin Mabe të Lezhës. Mesohet se, atentatorët janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur.
Postblloqe të shumta janë ngritur nga policia për të kapur autorët e vrasjes.