Një person humbi jetën dhe tre të tjerë u plagosën në një aksident te rëndë rrugor që ndodhi para mesnatës, pranë zonës së ish-Kënetës, në Durrës.
Viktima është shtetasi me iniciale Eduart Karamuça, 48 vjec, ndërsa 3 persona që udhëtonin me të, janë të plagosur dhe janë në gjendje të rëndë. Të plagosurit janë A.S,33 vjeç, Zh.K, 33 dhe E.Z,38 vjeç, të gjithë me banim në Tiranë.
Policia njofton se mjeti tip Nissan, me targa AA 664 MZ, është përplasur me bordurën e rreth-rrotullimit në ish-Kënetë. Burime nga grupi hetimor sqarojnë se automjeti me të cilin udhëtonin katër personat po lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara dhe për pasojë drejtuesi ka humbur kontrollin,duke mos manovruar dot në rreth rrotullim.
Automjeti është përplasur shumë fortë me bordurën dhe më pas ka dalë nga rruga. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e policisë, të cilat kanë dërguar në Spitalin e Traumës 3 personat e aksidentuar, të cilët po marrin ndihmën mjekësore./Ora