Një oficer i Policisë Ushtarake u plagos rëndë dje në mëngjes në Tiranë, pasi makina e tij shpërtheu në lëvizje e sipër.
Elton Imeri, 34 vjeç, mbeti i gjymtuar nga shpërthimi i fuqishëm në zonën e Kombinatit.
Policia ka nisur hetimet, ndërsa duken të pakta mundësitë që ai të jetë sulmuar për shkak të detyrës.
Sipas Panoramës, me shumë gjasë bëhet fjalë për konfliktin mes dy fiseve në zonën e Yzberishtit në Tiranë, konflikt që ka sjellë shumë viktima dhe të plagosur.
Bëhet fjalë për përplasjen mes fiseve Imeri dhe Xhabafti.
Edhe pse Elton Imeri dukej se nuk ishte implikuar në këtë përplasje të frikshme, policia dyshon se kjo është një histori hakmarrje.
Para pak muajsh, kushëririt të tij, biznesmenit Ervis Imeri, iu vendos 600 gramë tritol në një makinë të marrë me qira.
Për fat të mirë, ai e pikasi përpara se të shpërthente.
Ndërkohë një vit më parë, Vora u trondit nga një shpërthim me tritol në makinë.
Viktima ishte Baki Xhabafti, baba i tre fëmijëve dhe biznesmen.
Makina e tij shpërtheu fuqishëm, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme sapo ai e kishte ndezur.