Alban Hetemi, një shqiptar me banim në Londër u dënua me 11 vjet burg për tentativë vrasjeje. 20-vjeçari, në 13 prill të këtij viti, ka qëlluar me thikë një 19-vjeçar, në një nga parqet e Canterbury.
“Kentonline” shkruan se 19-vjeçari Sayed Hossani po rrinte në një nga stolat e parkut me dy shokë të tij, Samir Mohammed dhe Kate Kennet, kur shqiptari Hetemi e ka qëlluar një herë me thikë duke thirrur “Allahu Akbar”.
Pasi e ka ndjekur dhe qëlluar sërish me thikë, ai i ka thënë se nuk donte ta shihte më në atë zonë. Djaloshi ia ka dalë të largohet, ndërsa agresori është larguar me makinën e tij. Pas dëshmive të të pranishmëve dhe pamjeve të kamerave të rrugës, policia britanike e ka arrestuar Hetemin të nesërmen.
Ndërsa i plagosuri është dërguar në spital, ku i është nënshtruar një operacioni për shkak të plagëve të rënda në mëlçi.
Pasi është arrestuar, shqiptarit Hetemi i është gjetur në makinë një thikë, e cila dyshohej si arma e krimit, transmeton Noa. Por i pyetur nga policia, ai është përgjigjur: Mendoni se jam budalla ta mbaj këtu armën e krimit? Në fakt ekspertiza ka treguar se pikërisht ajo ishte thika me të cilën ishte kryer plagosja.