Kamerat e sigurisë së lokalit ku ndodhi vrasja e 30-vjeçarit tregojnë çastin kur pesë të rinjtë e identifikuar dhunojnë dhe më pas qëllojnë me armë Enton Nikajn. Kush janë autorët e identifikuar nga policia dhe dinamika e krimit që u mbyll me një të vrarë dhe një të plagosur. Sherri për 200 mijë euro borxh dhe ekzekutimi i të riut të dënuar për vrasje. Policia arreston ish-policin e dyshuar për vrasjen
Kamerat ishin për sigurinë e lokalit, por janë bërë “dëshmitaret” më të rëndësishme të një vrasjeje të tipit mafioz, mes personave me të shkuar kriminale.
Pas vrasjes së Enton Nikajt dhe plagosjes së Ismet Gaxherrit dy ditë më parë, policia ka shpërndarë pamje të momentit kur personat e përshirë në konflikt fillimisht debatojnë ashpër dhe pas goditjes me grushte qëllojnë me armë duke lënë të vdekur në vend 30-vjeçarin Nikaj dhe plagosur me qytën e armës pronarin e lokalit.
Tashmë grupi i hetimit ka përcaktuar gjithë dinamikën e ngjarjes dhe identifikuar që të pesë personat që u përfshinë në vrasje.
Gjithashtu, ka të dhëna se konflikti kishte të bënte me një borxh prej 200 mijë eurosh.
Të dyshuarit si autorët e krimit janë Ervis Martinaj, Emiljano Nina, Mirsad Kuçanaj, Bujar Hasani dhe Oliver Gjoka. Duke qenë në numër të madh, presioni ndaj Nikajt dhe Gaxherrit duket i qartë në parkingun e restorantit “Muraga”.
Mëngjesin e së premtes, policia tha se ka arrestuar të dyshuarin Mirsad Kuçanaj.
“Në këtë operacion u angazhuan rreth 200 forca Policie të cilat ushtruan rreth 24 kontrolle në ambiente dhe banesa të ndryshme të cilat ishin të dyshuara nga ana e Policisë. Në këtë operacion u përfshinë Forcat e Drejtorisë se Policisë Tiranë, Sektori për Krimet e Rënda dhe Forcat Operacionale, në bashkëpunim më Forcat Speciale RENEA dhe FNSH-ja. Si rezultat i këtij operacioni u kap shtetasi i shpallur në kërkim, Mirsad Kuçana, 28 vjeç, lindur në Bajram Curri dhe banues në Tiranë, (ish efektiv policie). Gjithashtu janë kapur edhe disa persona të tjerë, për të cilët po punohet në lidhje me ngjarjen. Nga ana e strukturave të përmendura më sipër u ushtruan kontrolle me përmasa duke u shtrirë në disa qytete, si Tirana, Durrësi, Laçi. Qëllimi i këtij operacioni është kapja e autorëve të vrasjes së shtetasit Enton Nikaj dhe plagosjes së një shtetasit me iniciale I.G, të ndodhur më datë 11.11.2015, në Linëz,” thuhet në njoftimin zyrtar.
NGJARJA
Në pamjet e siguruara pak momente para se të shkreheshin armët, shfaqet 30-vjeçari Nikaj i mbështetur me forcë pas murit, ku edhe vetë nuk po e kuptonte se edhe pak sekonda jetë kishte.
Më pas pa kaluar gjatë, një nga të dyshuarit qëllon me qytën e pistoletës Gaxherrin, i cili për t’u mbrojtur vendos të dyja duart në kokë.
Ndërsa Nikaj grushtohet nga dy të tjerë dhe më pas një i ri, që në pamjet filmike del me shpinë, dyshohet se ka qëlluar dy herë me pistoletë të tipit “TT”, ku një nga plumbat e ka kapur direkt pas koke 30-vjeçarin, i cili mbeti i vdekur në vend.
Pasi lënë në tokë të plagosur Gaxherrin dhe të vrarë Nikajn, që të pesë të rinjtë largohen me shpejtësi, me një automjet që e kishin parkuar aty pranë dhe madje marrin edhe fuoristradën e viktimës.
Dyshohet se i gjithë objekti i sherrit ka qenë për një borxh të pashlyer të dhënë me interes (ndoshta nga autorët e ngjarjes).
Sipas hetuesve, pak para se gjendja të agravonte, ka të dhëna se shtetasi E.M i ka kërkuar Gaxherrit një shumë të hollash dhe në debat e sipër ka kërcënuar se nuk largoheshin pa i marrë paratë.
Duke mos siguruar të hollat, qëllimi i të cilëve për to ishte kryesor, ata kanë kaluar konfliktin me sharje e shtyrje në parkingun e restorantit.
Pikërisht në këtë vend, mes debateve ka hyrë dhe 30-vjeçari Enton Nikaj. Palët kanë nxjerrë pistoletat, ku me qytën e armës është qëlluar fillimisht Ismet Gaxherri, ndërkohë që Enton Nikaj ka marrë një plumb në kokë, duke mbetur i vdekur në vend.
Situata shkoi deri në përdorimin e armëve, që u mbyll me një viktimë dhe një të plagosur. Policia gjithashtu ka hapur nga fillimi të gjithë dosjen gjyqësore të Nikajt, i cili ishte person i dënuar për vrasje, tentativë vrasjeje dhe shkatërrim prone. Ai ishte dënuar me 14 vite burgim për vrasje dhe 2.6 vjet për akuzat e “tentativës së vrasjes” dhe “shkatërrimit të pronës”.
Këto dënime rezulton se i ka shlyer, por në rrethana ende të paqarta, pasi nuk ka vendime të zbardhura të gjykatave, ndërsa për veprën e fundit është shuar masa e sigurisë “arrest me burg pa afat”, duke ia ndryshuar në “hetim në gjendje të lirë”.
Pas daljes nga burgu, 30-vjeçari u largua drejt Turqisë dhe nga verifikimet në sistemin “Tims”, figuron se është rifutur në vendin tonë vetëm një muaj më parë.
Ndërkohë që pardje u vra pas një konflikti për një shumë parash. Pasi ka identifikuar autorët, policia mundi të grumbullojë edhe prova të tjera materiale ku përcaktoi edhe se Nikaj ka marrë një plumb afërsisht pas koke, në parkimin e restorant “Muraga” në Linzë dhe teksa lanë të plagosur pronarin e lokalit Ismet Gaxherri, të dyshuarit u larguan nga vendi i ngjarjes me fuoristradën e viktimës Mercedez Benz me targë “AA725MD”.
Tashmë që të pesë të dyshuarit janë shpallur në kërkim dhe nga ana e policisë po kryhen kontrolle të shumta në zonat ku mendohet se fshihen pas kryerjes së krimit.
Një tjetër element shtesë që u sigurua pas rishikimit të pamjeve filmike të kamerave të sigurisë së lokalit është se armë kanë pasur dy persona, vetëm me njërën është kryer qitje, ndërsa tjetra është përdorur për të goditur me qytë pronarin e lokalit, Ismet Gaxherri.
Ai tashmë ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën dhe grupi hetimor pasi i ka marrë dëshminë paraprake, mund ta rimarrë sërish në pyetje për të hedhur më shumë dritë si për ngjarjen, ashtu edhe për motivin e saj.