Një tjetër gomone në brigjet e Adriatikut është kapur nga policia, e cila dyshohet se do të transportonte drogë nga Shqipëria në Itali. Dje rreth orës 09:30 në grykëderdhjen e lumit Seman është sekuestruar një skaf 6.5 metra ngjyrë blu dhe të verdhë nga Policia Kufitare e Vlorës dhe janë arrestuar dy persona.
Të arrestuarit janë 48-vjeçari me iniciale V.L. dhe një shtetas italian, Giuseppe Lonoce, 49 vjeç.
Burimet nga Policia e Vlorës thonë se, dy të arrestuarit ishin në skaf kur u arrestuan dhe dyshohet se do të trafikonin lëndë narkotike drejt Italisë.
Skafi ishte nisur nga porti i Brindisit në Itali dhe nuk kishte bërë njoftim për hyrjen në kufi.
Operacioni për ndalimin e tyre u realizua në bashkëpunim me Guardia di Finanza.
Mësohet se policia ndaj dy personave ka ngritur akuzën e kalimit të paligjshëm të kufirit.
Ndërkohë që autoritetet vazhdojnë hetimet për të konfirmuar dyshimet në lidhje me ndonjë trafik të mundshëm droge.
Kujtojmë që një ditë më parë, policia sekuestroi në Vlorë një tjetër skaf dhe u sekuestruan 808 kilogramë kanabis sativa.